CEREMONIA E DUASË SË HIFZIT TË HAFIZ ENSAR ÇAJANIT

Sot, e hënë, me 21.06.2021, në xhaminë e Murat Pashës, në një ambient të veçantë dhe ceremoni madhështore, u promovua edhe një hafiz i ri në qytetin e Shkupit, hafizi Ensar Çajani.
Për këtë ceremoni u organizua një pritje madhështore, të cilës i priu Myftiu i Shkupit si nikoqir, Dr. Qenan ef. Ismaili, i cili i përshëndeti të pranishmit në emër të Myftinisë së Shkupit.
Myftiu i Shkupit Dr.Qenan ef.Ismaili shprehu fjalë miradije për familjen Çajani duke shtuar se; Familja Çajani sot po e dëshmojnë se janë familje e devotshme, dashamirëse e fjalës së All-llahut, me faktin që nga kjo shtëpi del mbrojtës i Kuranit, Ensari, që do të jetë i dobishëm për veten, kontribues ndaj familjes së tij e gjithë ummetit.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin; Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i shoqëruar nga stafi i kabinetit të tij, Kryetari i kuvendit të BFI – së H.Fejsall ef. Kadriu, Myftiu i Myfinisë së Gostivarit H.Sabahudin ef. Zendeli, Myftiu i Myftinisë së Ohrit H.Samet ef.Ajdari, Myftiu i Myftinisë së Kërçovës H. Qamil ef. Rushiti, Kryetari i OH “Hilal”, H. Fadil ef. Ramadani, shefi i kabinetit të Reisul Ulemasë, Hfz.Evzal ef. Sinani, hoxhallarë, familjarë të hafizit si dhe xhematlinj të Shkupit.
Duaja e hifzit u bë nga Myftiu i Myftinisë së Kërçovës, Mr.Qamil ef. Rushiti.
Më pas, nën moderimin e H.Rexhep ef. Imerit, fjala kryesore, i takoi Kreut të Bashkësisë Fetare Islame të RMV H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.
Në fund, para gjithë të pranishmëve hafizit iu dorëzua diploma e hifzit të mbrojtur si dhe plaket në emër të Myftinisë si dhe mualimi pranoi mirënjohje për angazhimin e tij dhe një dhuratë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij.
Ensar Çajani, është nxënës i vitit të 4- të pranë Medresesë Isa Beu – Shkup.
Hifzin e ka mbaruar pranë muhafizit të tij Hfz. Sadudin ef. Sulejmani.
Ndërkaq, provimin e hifzit e ka mbrojtur me sukses të lartë.
Seancat dëgjimore janë realizuar 6 ditë radhazi, me metodën e re të aplikuar të dëgjimit të tërë Kuranit famëlartë para Komisionit për Vlerësim pranë Myftinisë së Shkupit i cili përbëhet nga:
Hfz. Shafi Osmani, kryetar i komisionit
Hfz. Hfz. Sheval ef. Azizi, anëtar
Hfz. Xhemail ef. Nuhiju, anëtar