Me një ceremoni fetare të organizuar nga Myftinia e Shkupit, më datë 8 mars 2021, në Xhaminë e Mustafa Pashës, u promovua edhe hafizi më i ri i Shkupit, hfz. Amar Murati.
Në këtë ceremoni, në një ambient gëzimi në Xhaminë e Mustafa Pashës, prezentë ishin Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, kryetari i Kuvendit h.Fejsall ef. Kadriu, Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë Evzal ef. Sinani, Myftiu i Gostivarit Sabahudin ef. Zendeli, Myftiu i Kërçovës Qamil ef.Rushiti, Kryetari i OH Hilal Fadil ef. Ramadani, profesorë nga FSHI dhe Medreseja Isa Beu, dhe shumë mysafirë e besimtarë.
Programi filloi me Fjalën e All-llahut , me ashere të lexuar nga Hfz.Xhemail ef.Nuhiju,përgjegjës i Institutit “Ismail Efendiu”.
Në emrin e Myftiut të Shkupit, të pranishmit i përshëndeti sekretari i Myftinisë së Shkupit, Mr. Nexhmi ef. Ferati i cili falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre në këtë ceremoni hifzi, duke shprehur mirënjohje ndaj familjes Murati dhe gjithë atyre që ishin hisetarë në këtë proces jo të lehtë.
Në fund të fjalimit të tij uroi hafizin për këtë arritje duke i dëshiruar shëndet e suksese në jetën e tij.
Në fjalën e tij të rastit Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai pasi përshëndeti të pranishmit, duke filluar nga kryetari i kuvendit të BFI- së, muftinjtë prezent, anëtarët e Rijasetit të BFI, profesorët e FSHI dhe Medresesë Isa Beu Shkup, anëtarët e komisionit të Hifzit, drejtori për Arsim Fetar pranë Rijasetit të BFI – së Prof.Jusuf ef.Zimeri, prindërit dhe familjarë të hafizit të ri, mysafirë, familjarë të hafizit e xhematlinj tha mes tjerash:
“Sot jemi këtu të përjetojmë gëzimin e madh tonin dhe të gjithëve. Sot jemi këtu që të marrim shembull, të përurojmë dhe përgëzojmë si dhe ta festojmë veprën e madhe të shpalljes së hafizit më të ri në Shkup, arritjen, suksesin e madh të mbrojtësit të Kuranit Famëlartë, hfz.Amar Murati.
Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, gjithashtu në fjalimin e tij e vlerësoi lartë punën e muhafizit për të cilën e kujtoi Ajetin Kuranor se: Më i miri prej jush është ai që e din Kuranin Famëlartë dhe ua mësojnë të tjerëve, si dhe lavdëroi familjen, e posaçërisht prindërit e Amarit që dëshmojnë se në atë familje frymon islami.
Duanë e Hifzit e bëri Idriz ef.Idrizi, referent pranë Myftinisë së Tetovës.
Në fund, para gjithë të pranishmëve hafizit Amar Muratit iu dorëzua diploma e hifzit të mbrojtur si dhe mualimi pranoi mirënjohje për angazhimin e tij dhe një dhuratë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij, nga ana e Reisul Ulemasë H. Hfz.Shaqir ef.Fetai.
H.Fejsall ef. Kadriu, në emër të Myftiut Dr.Qenan ef. Ismaili, i dhuroi hafizit të ri një pllaketë, dëshmi për kryerjen e Hifzit në emër të Myftinisë së Shkupit si dhe një kompjuter portativ (lap-top), dhuratë nga kompania “Eftinija Impex”.
Hfz. Amar Murati, është I lindur në vitin 2003, aktualisht nxënës i Medresesë Isa Beu në Shkup, ndërsa nxënien e Kuranit përmendësh e filloi më 31 janar 2017 deri më 14.03.2019, tek mualimi i tij Miftar ef. Islami.
Seancat degjimorë janë realizuar 5 ditë radhazi, me metodën e re të aplikuar të dëgjimit të tërë Kuranit famëlartë para Komisionit për Vlerësim pranë Myftinisë së Shkupit i cili përbëhet nga:
Hfz. Shafi ef. Osmani – Kryetar, Hfz. Sadudin ef. Sulejmani – anëtar dhe Hfz. Sheval ef. Azizi – anëtar.