DIPLOMON GJENERATA E KATËRT PRANË MEKTEBIT “DRITA” NË SHKUP

Më 28 shtator 2021 (e martë) pas faljes së namazit të ikindisë, në Xhaminë e Re të lagjes së Çairit u realizua ceremonia e duasë së hatmes me rastin e mbarimit të mësim-besimit islam të 41 nxënësve pranë mektebit “Drita”.
Në këtë program ishin të pranishëm Myftiu dr.Qenan ef.Ismaili, referentët e Myftinisë, Hfz. Xhemail ef. Nuhiju, përgjegjës i Institutit të Hifzit “Hfz. Ismail Efendiu”, hoxhallarë, hafëzllarë e familjarë të nxënësve si dhe një numër i konsiderueshëm i xhematlinjëve.
Para fillimit të programit me fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtua imami i xhamisë Hfz. Avni ef. Asani.
Më pas, fjala e rastit i takoi Myftiut i cili uroi Hfz. Sabaatin ef. Nuhijun për kontributin e tij ,prindërit e nxënësve për angazhimin e tyre si dhe nxënësit për dijen e fituar.
“Nder dhe kënaqësi për mua që të prezantoj së bashku me operativën e Myftinisë së Shkupit në këtë solemnitet; ditë të veçantë, ditë gëzimi për mualimin e tyre hfz. Sabaatin Efendiun, ditë gëzimi për nxënësit e sapodiplomuar dhe familjet e tyre.
Qofshin dëshmi në Ditën e Gjykimit; çastet, ditët e netët përplot përkushtim deri në këtë ditë të kurorëzimit të suksesit të përbashkët në këtë manifestim të duasë së hatmes, ku diplomuan 41 nxënës.” – u shpreh Myftiu në fjalimin e mbajtur para të pranishmëve.
Duanë e rastit e bëri H.Fejsall ef. Kadriu, referent i Vakëfit pranë Myftinisë së Shkupit.
Pas programit, të gjithë nxënësve iu ndanë diploma për kryerjen me sukses të mësim-besimit islam të ndjekur tek mualimi i tyre, Hfz. Sabaatin ef. Nuhijut.
Krejt në fund, Myftiu Hfz. Sabaatin Efendiut i dhuroi një mirënjohje në shenjë falenderimi për kontributin e tij.