Në xhaminë “En-Nur” të fshatin Bukoviq të komunës Saraj, më datë 5 korrik 2021, para namazit të ikindisë u mbajt solemniteti i duasë së hatmes me rastin e diplomimit të 14 nxënësve në bazat e mësim – besimit islam, pranë mualimit hfz. Huzri ef. Idrizi.
Këtë manifestim e nderuan; Myftiu i Myftinisë së Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili i shoqëruar nga sekretari i Myftinisë Mr.Nexhmi ef. Ferati dhe referenti Jetmir Jakupi , hoxhallarë, hafëzllarë e familjarë të nxënësve si dhe xhemati i fshatit Bukoviq.
Hapjen e këtij akti solemn e bëri hatibi i xhamisë Zeqirija ef. Tairi, i cili përshëndeti dhe falenderoi Myftiun e Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, referentët dhe gjithë të pranishmit për pjesmarrjen e tyre në këtë ceremoni.Në fjalën e tij para xhematit ai përgëzoi mualimin për angazhimin e tij, prindërit e nxënësve për mbështjetjen e tyre si dhe nxënësit e diplomuar që me përkushtimin e tyre arritën që të mësojnë leximin e Kuranin Famëlartë.Më pas, vijoi programi i përgatitur nga nxënësit e këtij mektebi nën udhëheqjen e mualimit, Hfz, Huzri ef. Idrizi.
Fjala kryesore i takoi Myftiut dr.Qenan ef.Ismaili, i cili shprehi konsideratën e tij, për punën shembullore të Hfz. Huzri Efendiut, duke lutur All-llahun e Madhëruar që punën dhe sakrificën e tij në këtë punë mjaft fisnike t’ia shpërblejë me mirësitë e kësaj bote dhe të Ahiretit.
Myftiu mes tjerash tha: “Të lumë janë ato familje, ato vende që në gjirin e tyre kanë njerëz të mëdhenj, hoxhallarë e dijetarë që kanë kontribuar dhe vazhdojnë me vullnet në zhvillimin e dinjitetit dhe të edukimit të mirëfilltë të brezave të rinj.
Andaj, mualimët tanë janë të bekuar nga ana e All-llahut (xh.sh) për punën e tyre të shenjtë, sepse që në moshë të re, fëmijëve tanë ua mësojnë e ua bëjnë të dashur Kur’anin, Fjalën e All-llahut.”
Në përmbyllje të ceremonisë gjithë nxënësve, Myftiu iu ndau diploma, ndërsa në shenjë mirënjohje dhe falenderimi për angazhimin, Hfz. Huzri Efendiut i ndau mirënjohje në emër të Myftinisë së Shkupit.
Pastaj, Muaz ef. Mamuti, me zërin e tij të bukur lexoi disa ajete nga Kurani i madhërishëm.
Ky manifestim përfundoi me duanë e bërë nga Mr. Nexhmi ef. Ferati, sekretar pranë Myftinisë së Shkupit.