Hapet Xhamia “Mulla Hysen Saiti” në fshatin Lubin të Sarajit

Sot, 30 mars 2022, nën organizimin e Myftinisë së Shkupit dhe Këshillit iniciues për ndërtimin e xhamisë, u realizua ceremonia zyrtare e hapjes së xhamisë “Mulla Hysen Saiti” në fshatin Lubin.
Në këtë solemnitet mori pjesë: Kryetari i BFI-së Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai me bashkëpunëtorët e tij, Myftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, kryetari i komunës së Sarajit, z. Blerim Bexheti, Myftiu i Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli, Myftiu i Ohrit, Mr. Samet ef. Ajdari, Kryetari i Kuvendit të BFI H. Fejsal ef. Kadriu,kryetari i OH Hilal Mr. Fadil ef. Ramadani, H. Ismet Ademi, Drejtori i Sektorit për marrëdhënie me Botën Islame pranë BFI, profesorë të Medresesë Isa Beu dhe FShI, operativa e Myftinisë së Shkupit, veprimtarë, donatorë dhe përkrahës të jetës fetaro islame, imami i xhamisë dhe Këshilli i xhamisë, hoxhallarë, si dhe mysafirë të ndryshëm nga vendi e nga jashtë.
Para se të bëhet hapja e kësaj xhamie u lexuan disa pjesë nga Kur’ani famëlartë nga Muharem ef. Ismaili ndërsa moderatori i kësaj ceremonie, ishte hafiz Irfan ef. Sulejmani.
Sipas të dhënave nga z. Nehat Bekiri, kryetar i Këshillit Iniciues i ndërtimit të xhamisë “Mulla Hysen Saiti”, u prezantua ecuria e procesit të realizimit të punimeve gjatë ndërtimit të xhamisë e mes tjerash falenderoi të gjithë ata që ishin pjesë e kontributit deri në përfundimin e saj.
Kryetari i Komunës Saraj, z. Blerim Bexheti pasi përshëndeti të pranishmit, iu falënderua Zotit që ia dha mundësinë që të kontribuojë në procedurat për ndërtimin e një xhamie, duke premtuar se me gjitha kapacitetet insitucionale do të jetë gjithmonë në shërbim të xhamisë, në shërbim të besimtarë dhe Bashkësisë Fetare Islame.
Nikoqiri i kësaj ceremonie, Myftiu i Myftinisë së Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili i përshëndeti të pranishmit duke vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e palodhshëm të Këshillit Iniciues për ndërtimin e Xhamisë.
Myftiu pasi i përshëndeti të pranishmit mes tjerash tha se: “Sot, 30 mars 2022, po përjetojmë gëzimin e hapjes se kësaj xhamie, falë ndihmës së All-llahut dhe përpjekjes se vazhdueshme te këshillit iniciues për ndërtimin e xhamisë.
Këtë sukses që sot e shohim është rezultat i angazhimit të banorëve të këtij fshati që kontribuan me punë e me mjete financiare që të arrihet kjo ditë.
Emrin që mbartë kjo xhami, “Mulla Hysen Saiti” – ky personalitet është simbol i sakrificës dhe frymëzim për ne, ai frymoi, jetoi, punoi për ta ngritur me zemër e shpirt Fjalën e Allahut.
Për hir të kësaj sakrifice Krijuesi Absolut e bëri të mundur që xhamia e re e Lubinit, pas shumë viteve të mbart emrin e Mulla Hysenit, Allahu e pastë mëshiruar e shpërblyer për kontributin e tij të madh.”
Lusim Allahun Fuqiplotë që ti shpërblen të gjithë kontribuesit e kësaj shtëpie të Zotit me mirësitë e Tij të panumërta.
Fjalën kryesore në këtë ceremoni e pati Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i cili shprehi kënaqësinë e tij dhe emocionet për këtë ndërtim, për këtë xhami kaq të bukur në këtë ambient madhështor në qendër të fshatit.
Ai e vlerësoi lartë punën e të gjithëve që kontribuan në ngritjen e kësaj shtëpie të Allahut të Plotfuqishëm duke lartësuar imanin e paluhatshëm të banorëve të fshatit Lubin, që me kontribut dhe sakrificë ia kanë dhënë këtë hieshi kësaj xhamie, duke përdorur materiale ndërtimi nga më të mirat dhe më të bukurat.
Pas fjalimit të Reisul Ulemasë, u dekoruan me mirënjohje donatorët kryesorë dhe këshilli inicues për ndërtimin e xhamisë “Mulla Hysen Saiti” nga Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dhe Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili për kontributin e tyre.
Pastaj, iu dorëzua autorizimi Shefko ef. Zeçoviq, i emëruar hatib, imam dhe mualim i xhamisë, si dhe vendimin për forminin e këshillit të xhamisë e pranoi Ijaz ef. Veseli – kryetar i këshillit.
Duanë e kësaj ceremonie zyrtare e bëri H. Sabahudin ef. Zendeli, Myfti i Gostivarit.