HAPET XHAMIA “NEXHAT SHAINI” NË LAGJEN VIZBEG

Të mërkurën, më 14 korrik 2021 me një program solemn, nën organizimin e Myftinisë së Shkupit hapet xhamia “Nexhat Shaini” në lagjen Vizbeg të Shkupit.
Këtë ceremoni e nderuan; kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema h.hfz.Shaqir ef.Fetai, Myftiu i Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili, drejtorët e sektoreve pranë Rijasetit të BFI-së, Myftiu i Myftinisë së Manastirit, h. Amit ef. Rasimi, hoxhallarë e hafëzllarë nga gjitha rajonet e Shkupit si dhe xhematlinj të kësaj ane.
Programi u hap me ashere të lexuar nga hfz. Ferat Plakaj.
Pastaj, fjalë përshëndetëse pati kryetari i këshillit inicues, z. Fatmir Emini, i cili foli rreth vendimit për nisjen e kësaj xhamie dhe ecurisë së punëve, duke falënderuar të gjithë kontribuuesit që kanë dhënë pjesë nga koha dhe pasuria e tyre për ta ndërtuar këtë xhami.
Si nikoqir i kësaj ceremonie, Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili përshëndeti të gjithë të pranishmit, të cilët edhe përkundër temperaturave të larta, janë prezent në inaugurimin e kësaj shtëpie të Zotit.
“Punët e mira bëhen bashkë. Punët e mira nuk munden të bëhen vetëm. Ashtu siç jemi bashkë sot në këtë xhami, bashkë… Ishte imperativ i kohës dhe më se e nevojshme për banorët e kësaj ane, të cilët gjithmonë kanë pasur nevojë për të falur namazin dhe xhumanë. Nuk kemi pasur për qëllim të ndërtojmë një xhami të madhe, por të mjaftueshme për banorët e kësaj lagje zonë industriale, ku të mund ti kryejnë obligimet e tyre fetare.
Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili gjithashtu tregoi se kjo xhami është e re, në një lagje të re, ku akoma nuk ka anëtarësi e cila do të kujdeset për mirëmbajtjen. “Falë dy biznesmenëve të kësaj ane, të njohur nga ne për mirësitë e tyre, kanë vendosur që të bëjnë pagesën e hoxhallarëve derisa të krijohet anëtarësia e xhamisë” tha mes tjerash Myftiu në fjalën e tij.
Në shenjë respekti dhe nderimi për të gjithë ata që ndihmuan në ndërtimin e kësaj xhamie, u ndamë mirënjohje për kontributin e dhënë dhe atë; familjes Shaini ; familjes Imeri ; familjes Kadriu dhe Haxhi Mexhid ef. Aziz për kontributin e dhënë në mbështetjen financiare si donatorë të xhamisë; si dhe z.Fatmir Eminit për mbikqyrjen e punimeve që nga dita e parë e deri në hapjen e dyerve të xhamisë.
Poashtu, solemnisht iu dorëzua autorizimi nga Bashkësia Fetare Islame Ali ef. Shabanit si hatib i xhamisë, ndërsa Hfz. Ferat ef. Plakaj imam dhe mualim i xhamisë.
All-llahu e shpërbleftë kontributin e familjeve, e gjithë atyre të cilët mbështetën ndërtimin e xhamisë duke sakrifikuar nga pasuria e tyre, që kjo xhami të shndërrohet në vatër të edukimit e dijes për besimtarët e kësaj zone.
Më pas ashere u kënduan nga Hfz. Avni ef. Asani, ndërsa në fund duanë e bëri Kryetari i Kuvendit të BFI Fejsall ef. Kadriu, ndërsa namazit të ikindisë i priu Myftiu i Myftinisë së Manastirit Amit ef. Rasimi.