Dihet se falja e namazeve në xhami me xhemat është sunneti i fort (ar. sunnetul muekkede), gjithashtu edhe rreshtimi namazlive në mënyrë që rreshtat (ar, safet) të jenë të ngjitur, respektivisht, falësi të jetë i ngjitur për falësin e tjetër, që nënkupton se, shpatulla e njërit të jetë e ngjitur për shpatullën e tjetrit, fizikisht të jenë afër dhe jo të ndarë. Kjo rregull, respektivisht, ky sunnet vlen edhe për vetë safin, i cili duhet të jetë i drejtë i ngjeshur krah për krah mes namazëlive (falësve), por vlen edhe për distancën mes rreshtave (safeve), ku njëri rresht duhet të jetë pas tjetrit, pa ndonjë distancë dhe hapësirë të madhe.
Shumica e dijetarëve (hanefit, shafiit, malikit) janë të mendimit se, plotësimi dhe ngjeshja e safeve është sunneti i fortë, këtë mund ta kuptoj secili lexues, e lëre më ndonjë studiues, sepse, këtë mund ta lexosh në literaturën përkatëse të jurisprudencës Islame, sa për ilustrim do të shënojmë emrat e disa veprave të fikhut (jurisprudencës), ku qartë shënohet se, bashkimi i rreshtave është sunnet e jo vaxhib (obligim);
-Vehbe Zuhejli, Fihkul islami ve edilletuhu, 2/248.
-Abdurrahman Xhuzejri, Kitab El-fikh ala medhahibil erbeati, 1/217.
-Ibn Humam, Fet’hul kadir.
-Ibn Abidin, Redul muhtar ala durril mukhtar (Hashijet ibn Abidin).
– Tehanevi, I’lau ssuneni. Dhe shumë vepra tjera.
Dijetarët qëndrimin e tyre se, rreshtimi i ngjeshur, i bashkuar është sunneti i fort e mbështetën dhe argumentuan mbi shumë hadithe të Pejgamberit a.s., hadithe këto, nga të cilët përfituan këtë dispozitë, sepse, vështrimi dhe përpunimi i këtyre haditheve përmes rregullave të usuli fikhut, vërteton se dispozita e rreshtimit të tillë është sunnet e jo vaxhib (obligim).
Mirëpo, disa dijetarë janë të mendimit se rreshtimi i ngjeshur është vaxhib-farz (obligim), të këtij mendimi janë medhhebi hanbeli. Dijetarët e tre medhhebeve tjera demantuan këtë qëndrim dhe shtuan se argumentet, mbi të cilat hanbelit mbështetën qëndrimin e tyre, nuk mbajnë të jenë në atë nivel që rreshtimi i bashkuar të jetë vaxhib. Se nga argumentet, mbi të cilët janë bazuar hanbelit dhe ibn Hazmi nuk përfitohet vaxhibi, por sunneti mund të lexosh veprën I’lau ssuneni 4/353-362.
Me që analizimi dhe përpunimi i argumenteve në lidhje me këtë çështje nuk është temë boshte për studim, andaj, ai që dëshiron të merret me këtë çështje në detaje mund të shfletoj literaturë bazë të katër medhhebeve.
🔻Të theksojmë edhe një herë se, kjo dispozitë vlen në gjendje dhe rrethana normale, po çka është dispozita në gjende të veçanta, të jashtëzakonshme, të rrezikshme❓
Në gjendje të tilla lejohet falja e namazeve me xhemat në reshta të ndarë fizikisht, edhe atë për shumë fakte dhe arsye;
-Rreshtimi është sunnet, lënia dhe mos praktikimi i sunnetit në ndonjë rast apo kohë, është i lejuar, dhe lënia e tillë nuk tërheq mëkat dhe ndëshkim, kjo në raste normale, apriori dhe më e udhës është se në gjendje të veçanta, të mos ketë mëkat e as ndëshkim.
-Mos respektimi i sunnetit të Pejgamberit a.s. është mekruh (e urryer), kjo vlen në raste normale, por jo edhe në ato urgjente dhe të rrezikshme, si për shembull lejohet mos falja e sunneteve të namazeve gjatë udhëtimit.
-Lejohet falja e namazeve me rresht të ndarë fizikisht, sepse, në rreshtimin e tillë synohet shpërblimi, ndërsa, në ndarjen e rreshtave mbrohet shëndeti dhe jeta e njerëzve, të cilat janë obligim fetar.
-Në gjendje normale, nga rreshtimi sipas sunnetit, respektuesit shpërblehen me lejen e Allahut xh.sh., në gjendje të veçanta dhe për shkaqe të lejuara sipas sheriatit Islam, edhe ata që falen në rresht të ndarë fizikisht do të shpërblehen me lejen e Allahut xh.sh., sepse, shumë sende shpërblehen kur për shkaqe legjitime personi nuk i vepron, por sikur t’i jepej mundësia ai do t’i vepronte, prandaj, ky rregull vlen edhe këtu në lidhje me këtë çështje.
-Rregulla e përgjithshme e sheriatit Islam thotë: “Ed-darurat tubihil mahdhurat – Sendet e parjetërsueshme-të detyrueshme, lejojnë sendet e ndaluara”, nëse në raste të veçanta, lejohet të vepruarit me sende të ndaluara, si atëherë nuk lejohet të mos veprohet një sunnet nga sunnetet e kësaj feje.
-Madje në literaturën e fikhut, dijetarët shënojnë raste kur lejohet ndërprerja e rreshtit (safit). Ibni Abidini në Hashijen, e njohur si Hashijetul Abidiin thotë: Nëse dikush falet në çardakun e xhamisë edhe pse poshtë ka vend të lirë, kjo është mekruh ( e urryer), sepse e ka lënë plotësimin e rreshtave. Por nëse ai që do të falej në çardak është muezini në ditën e xhuma, që si shembull zëri i tij të arrijë deri në skajet e xhamisë atëherë kjo nuk është mekruh (Ibn Abidin, 1/570).
Allahu e din më së miri.
Prof. Dr.Taxhedin ef. Bislimi
(ligjërues pranë FSHI-së dhe kryetar i Komisionit për Çështje Fetare pranë Myftinisë së BFI – Shkup