Në xhaminë “Lejletul Kadër” të fshatit Kopanicë, më 31 dhjetor 2021, u mbajt solemniteti i duasë së hatmes me rastin e diplomimit të 14 nxënësve në bazat e mësimbesimit islam, pranë mualimit Ahmed ef. Çilafi. Këtë manifestim e nderuan: Referenti i Vakëfit të Myftinisë së Shkupit Fejsall ef. Kadriu referenti i arsimit fetar, hfz. Irfan ef. Sulejmani, referenti Armend Halimi, hoxhallarë, hafëzllarë e familjarë të nxënësve, si dhe xhemati i fshatit Kopanicë.
Ceremoninë e hapi, Ahmed ef. Çilafi, mualim i nxënëseve, i cili në emër të familjarëve të nxënëseve falënderoi të pranishmit që kishin ndarë kohë për të ndjekur këtë ceremoni me rastin e diplomimit të gjeneratës së pestë që nga ushtrimi i detyrës së tij si mualim pranë xhamisë “Lejtetul Kadër”.
Fjala e rastit i takoi Fejsall ef. Kadriut i cili, përshëndeti të gjithë të pranishmit në emër të Myftiut të Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili. Në fjalën e tij, shprehi mirënjohje për kontributin dhe përkushtimin Ahmed Efendiut në detyrën e tij të shenjtë, uroi nxënësit për suksesin e arritur si dhe prindërit për orientimin e fëmijeve të tyre për të mësuar rregullat bazë të fesë islame. Më pas vijoi programi i përgatitur nga nxënësit që kishin përfunduar hatmen e Kur’anit. Pas programit Hfz. Irfan ef. Sulejmani këndoi ashere dhe e bëri duanë e hatmes.
Për të gjithë, në emër të Myftinisë së Shkupit, Fejsall Efendiu nxënësve u dhuroi diploma dhe më pas mbajti hytben e xhumasë. Hfz. Irfan ef. Sulejmani udhëhoqi xhematin në faljen e namazit të xhumasë. Allahu ju dhashtë sukses dhe mbarësi të gjithë nxënësve, ndërsa Ahmed Efendiun e shpërbleftër për kontributin e tij të pakursyer me mirësitë e panumërta të dunjasë dhe ahiretit.