Për nderë të ditës së lindjes së Pejgamberit tone, Muhamedit a.s, sot, 19 tetor 2021, pas namazit të ikindisë, në xhaminë “Allaxha” në Shkup, organizuam manifestimin tradicional kushtuar kësaj ngjarje të madhështore.
Në mesin e besimtarëve të pranishëm, hoxhallarë e hafëzllarë, i pranishëm në këtë manifestim ishte kryetari, Reisul Ulema H.Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Shefi i Kabinetit dr. Abdulkerim Iseni dhe Sekretari Gjeneral pranë BFI-së Irsal ef. Jakupi ; atasheu pranë Ambasadës së Turqisë z. Osman Mesten, si dhe hatibi i xhamisë Llokman ef. Kamberi.
Programi është hapur me një ashere të kënduar nga hfz.Bejtulla ef. Selmani, imam i xhamisë ‘Allaxha’.
Për ta bërë edhe më të begatshëm këtë manifestim me Kur’an, Mevlud, Ilahi, në programin e sotëm prezentuan hoxhallarët e mirënjohur nga Shkupi; Hfz. Abdulla Ali, Daut ef. Bajrami dhe Hfz. Ataullah ef. Kurtish, që shfrytëzoj rastin t’i falenderoj për kënaqësinë shpirtërore që na e ofruan, duke lutur Allahun e Madhëruar që t’i shpërblejë me mirësi pafund!
Në këtë program, i nderuam me ‘mirënjohje për kontribut të veçantë’ të gjithë ata që shprehën gatishmërinë humaniste në pasurimin e vakëfit të Myftinisë së Shkupit, duke i dhuruar tokat e tyre në vakëf- në shfrytëzim të gjithë besimtarëve; disa prej tyre për xhami, e disa të tjera për vareza.
Pas ndarjes së mirënjohjeve, Nimet ef. Aliu lexoi një ashere ndërsa duanë e rastit, të këtij manifestimi e bëri Llokman Efendiu.
Në kuadrin e aktiviteteve tona i kushtojme një kujdes të veçantë pritjes së muajit të lindjes së Pejgamberit a.s sepse organizimi i manifestimeve të këtilla, kushtuar lindjes së Pejgamberit, Muhamedit a.s. luan rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave fetare islame dhe shprehjen e ndenjës së fesë, madje të shprehur edhe në këtë mënyrë, përmes një manifestimeve shpirtërore, në Shkupin tonë me traditë fetare islame.


