Më 12 nëntor, 2021, e xhuma, u mbajt solemniteti i duasë së hatmes me rastin e diplomimit të 8 nxënësve në bazat e mësimbesimit islam, pranë mualimit Amir ef. Mamuti.
Këtë manifestim e nderuan: Myftiu i Myftinisë së Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, i shoqëruar nga referenti i Kradakut Fejsall ef. Kadriu; referenti i arsimit fetar hfz. Irfan ef. Sulejmani; hoxhallarë, hafëzllarë e familjarë të nxënësve, si dhe xhemati i fshatit Straçincë.
Në fillim, mualimi Amir ef. Mamuti në emër të këshillit i përshëndeti të pranishmit dhe u dëshiroi mirëseardhje në këtë manifestim. Ai, në emër të familjarëve të nxënëseve falënderoi të pranishmit që kishin ndarë kohë për të ndjekur këtë ceremoni me rastin e diplomimit të gjeneratës së tretë që nga ushtrimi i detyrës së tij si mualim pranë xhamisë.
Të gjithë nxënësit lexuan nga një pjesë të Kuranit fisnik, ndërsa në fund, Muhamed ef. Miftari këndoi ashere dhe H.Fejsall ef. Kadriu e bëri duanë e hatmes. Për të gjithë nxënësit Myftinia e Shkupit ndau nga një diplomë të cilat u ndanë nga Myftiu dr. Qenan ef. Ismaili. Më pas, Myftiu dr. Qenan ef. Ismaili mbajti hytben e xhumasë.
Lusim All-llahun e Madhëruar që nxënësve t’u japë suksese në rrugëtimin e nxënies së dijes, ndërsa mualimin ta shpërblejë me mirësitë e Tij të panumërta!