MESAZHI I XHUMASË DHE MANIFESTIMI I DUASË SË HATMES NË XHAMINË “KASIM BEU”

Në xhaminë “Kasim Beu” të lagjes Gazi Babë, komuna e Çairit, më 5 nëntor, 2021, u mbajt solemniteti i duasë së hatmes me rastin e diplomimit të 12 nxënësve në bazat e mësimbesimit islam, pranë mualimit Hfz.Vedat ef. Skenderi.

Këtë manifestim e nderuan: Myftiu i Myftinisë së Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, i shoqëruar nga referenti i Vakëfit të Myftinisë Fejsall ef. Kadriu; Sekretari i Myftinisë mr.Nexhmi ef. Ferati; referenti i xhematit të qytetit dr. Fatmir ef. Zaimi; referenti i xhematit të Karshiakës dhe arsimit fetar hfz. Irfan ef. Sulejmani; referenti Jetmir Jakupi, referenti Armend Halimi, hoxhallarë, hafëzllarë e familjarë të nxënësve, si dhe xhemati i lagjes së Gazi Babës.

Në fillim, hatibi i xhamisë Talha ef. Kurtish i përshëndeti të pranishmit dhe u dëshiroi mirëseardhje në këtë manifestim.
Si nikoqir i kësaj ceremonie, Hfz. Vedat ef. Skenderi, mualim i nxënëseve, në emër të familjarëve të nxënëseve falënderoi të pranishmit që kishin ndarë kohë për të ndjekur këtë ceremoni me rastin e diplomimit të gjeneratës së dytë që nga ushtrimi i detyrës së tij si mualim pranë xhamisë “Kasim Beu”.

Të gjithë nxënësit lexuan nga një pjesë të Kuranit fisnik, ndërsa në fund, Hfz. Irfan ef. Sulejmani këndoi ashere dhe H.Fejsall ef. Kadriu e bëri duanë e hatmes. Për të gjithë nxënësit Myftinia e Shkupit ndau nga një diplomë të cilat u ndanë nga Myftiu dr. Qenan ef. Ismaili.

Më pas, Myftiu dr. Qenan ef. Ismaili mbajti hytben e xhumasë.

“Ne, sot, më shumë se kurrë, si muslimanë, si vëllezër të një besimi, duhet që bashkërisht ta mbjellim farën e bekuar të pastrimit tonë shpirtëror nga mëkatet, smira e xhelozia ndaj njeri-tjetrit. Ta shtojmë dashurinë sinqertë e respektin ndërvëllazëror e me këtë t’i qëndrojmë besnikë fjalës së Allahut dhe rrugës profetike.” – tha mes tjerash Myftiu në hytben e xhumasë.

Allahu ju dhashtë sukses dhe mbarësi të gjithë nxënësve, ndërkaq Allahu e ndihmoftë Hfz. Vedat ef. Skenderin në detyrën e tij të shenjtë!