Dje, (05.11.2019) pas faljes së jacisë, në Xhaminë e fshatit Moranë u mbajt program i begatë me hafëzllarë e hoxhallarë të mirënjohur të Shkupit, për nder të përkujtimit të lindjes së Profetit Muhamed a.s
Në këtë program morën pjesë Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, anëtarët e Myftinisë së Shkupit, imamë të xhamive të tjera dhe besimtarët e kësaj ane.
Imami i xhamisë, Beqir ef. Osmani, në fjalën e tij përshëndetëse falenderoi Myftininë e Shkupit për nderin që i bënë besimtarëve të këtij fshati këtë vit, duke përzgjedhur si xhaminë e parë për ta shënuar ditëlindjen e Muhamedit a.s”
Pas fjalimit të shkurtër u lexuan pjesë nga Kurani, mevlud, ilahi të ndryshme, lutje dhe salavate kushtuar Muhamedit a.s me hoxhallarë e hafëzllarë të mirënjohur të vendit tonë.
Më pas, të pranishmëve iu drejtua me fjalë rasti Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef.Ismaili i cili mes tjerash tha:
“Është një ditë madhështore për mbarë njerëzimin, ditëlindja e Profetit Muhamed a.s, ardhja e tij në këtë botë.
Ai theksoi më tej se sado që jemi të dobët për të pasqyruar e përcjellur mesazhin e tij profetik është obligim i ynë si besimtarë që vazhdimisht të flasim për jetën dhe veprat e të Dërguarit tonë, Muhamedit a.s.”
Në fund, lutjen e këtij tubimi e bëri hoxhë Llokman ef. Kamberi.
Myftinia e Shkupit, vazhdon me realizimin e programeve në xhamitë e caktuara, ditëve në vazhdim.
Zyra për Informim pranë Myftinisë së BFI në RMV – Shkup