Ditën e martë, mê datë 6 korrik 2021, Myftiu i Shkupit, dr.Qenan ef.Ismaili, z. Ilir Hasani, zëvendës Ministër i Shëndetësisë dhe drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Shkup z. Besim Koka, qëndruan në ‘Poliklinikën Çair’ ku përcollën procesin e vaksinimit të nëpunësve fetarë të Myftinisë së Shkupit; hatibëve e imamëve që veprojnë në gjitha xhamitë e katër rajoneve të Shkupit.
Duke u nisur nga fakti se, hoxhallarët tanë janë në kontakt të vazhdueshëm me besimtarët ne u ofruam atyre mundësinë që në mënyrë institucionale të kryejnë vaksinimin me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të tyre dhe mbrojtjes së shëndetit kolektiv.
I gjithë procesi shkoi mbarë falë përpikërisë dhe përkushtimit të stafit mjeksor që ishte i angazhuar në Poliklinikën Çair.
“Shpreh falenderim dhe mirënjohje ndaj stafit mjekësor për pritjen dhe organizimin e mirëfilltë të gjithë procesit të vaksinimit si dhe gatishmërinë e plotë për të dhënë kontribut institucional në këtë drejtim.
Shëndetin e kemi amanet, andaj i inkurajojmë gjithë qytetarët që të përcjellin udhëzimet e institucioneve relevante për vaksinimin masiv, si përgjigje dhe mbrojtje nga pandemia e virusit COVID-19.” – shkruan në faqen zyrtare të Myftiut, dr.Qenan ef.Ismaili.