Me datë 17 qershor 2023, veprimtaria botuese e Myftinisë së Shkupit, nxori në dritë botimin e radhës të autorëve Prof. dr. Taxhedin ef. Bislimi dhe Prof. dr. Naser Ramadani me titull: “Normativa dhe etika Islame për të vdekurin”.
“Jurisprudenca islame është një strukturë e fuqishme e Islamit dhe ligj i Allahut të Lartëmadhëruar, me të cilën muslimanët formësuan jetën e tyre, u bashkuan në adhurime dhe në raportet ndërmjet tyre.
Ajo është pikënisja e civilizimit të mrekullueshëm të umetit, themel i krenarisë së tij dhe forcë e jetës.
Njëkohësisht edhe Etika islame ka një rol të rëndësishëm në kryerjen e adhurimeve, duke patur një rend të caktuar që duhet të ndiqet.
Ky libër ishte nevojë e kahmotshme dhe një burim i rëndësishëm për besimtarët, pasi ne çdo ditë ballafaqohemi me përcjelljen e të vdekurve tanë dhe është më se e nevojshme të kemi njohuri për normat dhe etikën në këtë aspekt të adhurimit.
Autorëve ju dëshirojmë jetë të gjatë dhe shëndet me lutje drejtuar All‐llahut Fuqiplotë që t’i begatojë me të mirat e të dy botëve.” – shkruan në faqet e para në fjalën e tij Myftiu i Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili.