MYFTINIA E SHKUPIT PROMOVOI TEKSTET MËSIMORE TË MEKTEBEVE

Më 07.12.2022 në Hotel Bushi në Çarshi të vjetër, Myftinia e BFI – Shkup promovoi tekstet mësimore të mektebeve që ka botuar si Elifbaja, Ilmihali dhe Texhvidi të përkthyera edhe në gjuhën maqedone, boshnjake dhe turke, si dhe Ditarin për mektebe në dy gjuhë.

 

 

 

 

 

 

Në këtë event përskaj Reisul Ulemasë h. hfz. Shaqir ef. Fetai me bashkëvepruesit e tij, morën pjesë edhe Myftiu i Gostivarit h. Sabahudin ef. Zendeli, Myftiu i Kërçovës Qamil ef. Rushiti, drejtori i ITKSHSH prof. dr. Skender Asani, zv. drejtori i Arkivit shtetëror prof. dr. Muzafer Bislimi, kryetari i Shoqatës së shkrimtarëve “ABC – poetike” Vullnet Sadiku, drejtori i Qendrës për Arsim Profesional dhe Trajnim prof. Sherif Miftari, sekretari i Medresesë Isa Beu mr. Lutfi Nexhipi, mualimë, mualime dhe mysafirë të tjerë.

Pas këndimit të një ashere nga hfz. Sabaatin Nuhiju, moderatori Mr. Ali ef. Sadiku paralajmëroi
 fjalën hyrëse të Myftiut dr. Qenan ef. Ismaili. Në fjalën e tij, Myftiu përmendi pikat më të rëndësishme të këtij rrugëtimi deri më sot dhe vlesoi lartë punën e autorit të elifbasë dhe texhvidit prof. dr. Ziber Lata, të bashkautorit të Ilmihalit mr. Nexhmi ef. Feratit dhe të gjithë atyre që dhanë kontribut për daljen në dritë të këtyre materialeve.

Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai në fjalën e tij të rastit përkujtoi vlerën e mësimbesimit nëpër mektebe dhe vlerësoi lartë mundin e dhënë në përpilimin e teksteve mësimore të mektebeve duke theksuar se kjo është një shtyllë e fuqishme dhe inspirim i veçantë për të gjitha myftinitë.

Referuesi prof. dr. Naser Ramadani në fjalën e tij theksoi se tekstet e mektebeve plotësojnë qëllimin për të cilin janë botuar dhe përmbushin të gjitha kriteret didaktiko metodike.

Prof. dr. Lulzim Mehmeti, në fjalën e tij si referues mes tjerash përmendi se Ilmihali në fjalë përbën një tërësi unike dhe përmban të gjitha domosdoshmëritë praktike të mësimeve islame, është një prej teksteve më të mira fetare në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera.
Prof. dr. Taxhedin Bislimi potencoi se ajo që e dallon elifbanë është mënyra e përgatitjes së saj dhe lehtësia e të mësuarit. Njësitë mësimore të Ilmihalit janë të qarta dhe koncize, temat janë më të kapshme dhe më të lehta për mësim. Këto materiale janë bazë për unifikim të materialeve për zhvillim të mësimbesimit në tërë territorin e vendit tonë.
Prof. dr. Musa Musai në këndvështrimin e tij mes tjerash theksoi se këto materiale janë një përpilim tekstual i përkryer, tekste bazë të edukimit dhe formimit të shumë brezave në shoqërin tonë.

Autori i elifbasë dhe texhvidit prof. dr. Ziber Lata mes tjerash tha: “Këto prurje modeste nuk janë kupola e ngrehinës madhështore që mëton të ngrejë Myftinia e Shkupit, por janë themelet e forta dhe të shëndosha mbi të cilat do të suvatohen të gjitha sugjerimet, vërejtjet, përmirësimet dhe plotësimet konstruktive që do të burojnë nga përvoja e mëtutjeshme e mualimëve nëpër mektebe.”

Para përfundimit të këtij eventi dëgjuam edhe përshtypjet mbreslënëse pozitive të këtyre teksteve nga të pranishmit si Kadrija ef. Muriq, prof. Elez Ismaili dhe anëtari i Shoqatës ABC poetike.
Në fund për të gjithë të pranishmit u shtrua koktej rasti.

Myftinia e BFI – Shkup falënderon të gjithë pjesëmarrësit në këtë event, posaçërisht të gjithë ata që kontribuan për daljen në dritë të këtyre teksteve.