Nën përkujdesin e Myftiut të Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili, më 11 prill 2022 – 10 Ramazan 1443H, Myftinia e Shkupit organizoi iftarin tradicional: “IFTAR I VEÇANTË, ME NJERËZ TË VEÇANTË”
Ky iftar tradicional që shtron Myftinia e Shkupit për personat me nevoja të veçanta, u realizua falë bashkëpunimit me shoqatat që veprojnë në Shkup; Shoqata “SHPRESA”; Shoqata “MIRËSIA” dhe Shoqata “SOS VITA”.
Myftiu, në fjalën e tij mirëseardhëse, përshëndeti gjithë të pranishmit, si dhe shprehi falenderim dhe mirënjohje në emrin e tij personal dhe gjithë Myftinisë së Shkupit për gjithë ata që pranuan të jenë pjesë e sofrës së iftarit, duke theksuar se të gjithë ata, janë pjesë e pandashme dhe vlerë e shtuar e shoqërisë sonë.
“E ndjej për obligim që t’i falenderoj përzemërsisht; stafin udhëheqës të shoqatave pjesmarrëse, të gjithë ata miq tanë që pranuan ftesën dhe e begatuan Sofrën tonë të iftarit.
Vërtetë, vlera e vërtetë e njeriut tek Allahu i Madhëruar matet sipas besimit, devotshmërisë, dhe dëlirësisë shpirtërore.
Pikërisht për këtë Muhammedi a.s. ka thënë:
“Vërtet, Allahu nuk shikon në trupat e as në fizionomitë tuaja, por shikon në zemrat dhe në veprat tuaja.” (Muslimi)” – u shpreh Myftiu në fjalimin e tij.