MYFTIU DR. QENAN EF. ISMAILI SHTROI IFTARIN TRADICIONAL

Në vazhdën e aktiviteteve të muajit të bekuar të Ramazanit, Myftiu i Shkupit, dr.Qenan ef. Ismaili, më 9 prill 2022 – 8 Ramazan 1443H, shtroi ‘Sofrën e Iftarit Tradicional’, për të gjithë ata që në ditët më të vështira ishin dhe vazhdojnë të jenë në krah të Myftinisë së Shkupit.
Në këtë iftar tradicional, të organizuar në shenjë falenderimi e mirënjohje për miqtë tanë të çmuar, na nderuan me pjesmarrjen e tyre; deputetë, përfaqësues të institucioneve të pushtetit qëndror; zëvendësministra, përfaqësues të pushtetit lokal ; kryetarë të komunave e drejtorë të ndërmarrjeve të Shkupit, personalitete nga bota e biznesit, përfaqësues të mediave, profesorë, intelektualë e afaristë, Esnafi i Çarshisë dhe shumë miq të tjerë nga sfera të ndryshme dhe shumë personalitete të shquara.
Nikoqiri i këtij evenimenti, Myftiu i Myftinisë së Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili, në fjalimin e tij, përshëndeti të pranishmit dhe u dëshiroi mirëseardhje, duke shtuar se Myftina e Shkupit – subjekti amë për organizimin e jetës islame në Shkup, kemi nevojë për miq të sinqertë me të cilët do të hapërojmë drejt sukseseve të përbashkëta,dhe më e rëndësishmja; të jemi në shërbim të besimtarëve.
Myftiu mes tjerash tha: “Në emrin tim personal dhe Myftinisë së Shkupit shpreh mirenjohje dhe falenderim për gjithë ata që e nderuan dhe e begatuan Sofrën tonë të iftarit, duke ngelur me shpresë që të ritakohemi sërish bashkë, në raste dhe organizime të tjera. Vërtetë, sukseset e mëdha arrihen me miq, shokë dhe dashamirë!”
Krahas fjalës mirëseardhëse të Myftiut, fjalë përshëndetëse pati kryetarja e qytetit të Shkupit, znj. Danella Arsovska; z.Visar Ganiu, në cilësinë e nënkryetarit të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H.Hfz. Shaqir ef. Fetai.