“Sot, pata nderin dhe kënaqësinë të jem nikoqir i kryetarit të Komunës së Çairit, z. Visar Ganiun dhe Znj.Sermine Purrini, Drejtoreshë e Qëndrës Informative Kulturore.
Në këtë takim përtej institucional dhe shumë miqësor, diskutuam për pronat që i janë kthyer Myftinisë së Shkupit përmes procesit të Denacionalizimit, siç janë: Bezisteni, Objekti i ish-kinemasë “Teatri Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj” dhe Kapan An-i.
Me këtë rast, i njoftova se ‘Teatri Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj’ në Çarshi të Shkupit do të vazhdojë me punë aty ku është dhe do të vazhdojë t’i realizojë të gjitha veprimtaritë e veta pa asnjë pengesë, duke i respektuar gjitha marrëveshjet, normat juridike dhe parimet tona fetare islame me të cilat funksionojmë ne si autoritet fetar islam në vend.
U premtova se hapësirat do të mund të i shfrytëzojnë për një afat kohor deri në gjetjen e ndonjë hapësire më të përshtatshme nga ana e tyre, ku do të mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre kulturore.” – shkruan faqja zyrtare e myftiut të Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili.