MYFTIU I SHKUPIT VIZITON TETOVËN

Sot ditën ia kushtuam Tetovës, për të ndarë dhimbjen tonë bashkë me familjarët e viktimave, për t’u shprehur ngushëllimet tona dhe për t’u ofruar mbështetjen institucionale.
Me iniciativën e Kryetarit, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, sot, realizuam mbledhje të jashtëzakonshme në nivel të Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame në Tetovë, me rastin e zjarrit tragjik që kaploi Spitalin modular të Qendrës për Kovid 19 në Tetovë, duke i diskutuar gjitha masat që duhet t’i ndërmarim për t’u dalur në ndihmë në këtë gjendje të rënduar.
Rijaseti I BFI në shenjë solidariteti me familjarët që humbën më të dashurit e tyre, nga buxheti i vet ndau një shumë prej 300.000 denarëve, përfshi dhe shpenzimet e varrimit që do ti mbulojë Myftinia e Tetovës.
Pas mbledhjes së mbajtur, vizituam Kryetaren e qytetit të Tetovës, znj. Teuta Arifi, të cilës në emër të BFI i shprehëm ngushëllime për gjitha jetët e humbura në këtë tragjedi.
Më pas, nën udhëheqjen e Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, së bashku me anëtarët e Rijasetit të BFI, vizituam spitalin e Tetovës ku u pritëm nga Drejtori i Spitalit të Tetovës z. Florin Besimi.
U njoftuam për së afërmi për ngjarjen e rëndë nga Drejtori z. Florin Besimi dhe bashkërisht vizituan objektin e djegur ku pati edhe shumë viktima.
Si pasojë e zjarrit të fuqishëm që ka shpërthyer të mërkurën në mbrëmje në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin të sëmurët nga virusi Korona ku pati edhe 14 viktima dhe 12 të lënduar.
Në këto çaste të vështira dhe të dhimbshme nëpër të cilat po kalon Tetova, lutjet tona janë me viktimat, të lënduarit, dhe familjet e tyre, si dhe me ekipet e shpëtimit dhe stafin mjekësor.
Allahu xh.sh i mëshiroftë të vdekurit, të sëmurët i shëroftë ndërsa familjeve të tyre ju dhashtë forcë dhe durim në tejkalimin e kësaj sprove të rëndë!

Dr. Qenan ef. Ismaili
Myfti i Shkupit