Më 26 janar 2023, pas namazit të jacisë në xhaminë “Kebir Mehmet Çelebi”, Myftinia e BFI – Shkup në koordinim me këshillin e kësaj xhamie realizoi program të begatë fetar në shënim të hyrjes në tre muajt e bekuar.
Këtë manifestim përskaj Myftiut dr. Qenan ef. Ismaili të shoqëruar nga personeli i Myftinisë e begatuan hoxhallarë, hafizlerë dhe xhematlinj të shumtë.
Në fjalën e tij mirëseardhëse hatibi i kësaj xhamie Imer ef. Mustafa uroi këtë natë dhe falenderoi Myftininë që ka përzgjedhur këtë xhami për të realizuar këtë manifestim.
Në fjalën e rastit, Myftiu foli mbi vlerën e tre muajve të dalluar dhe theksoi se kjo na përkujton Muhamedin a.s. që këtë periudhë e shfrytëzoi për kërkimfalje ndaj Allahut fuqiplotë dhe përgatitje për muajin e bekuar të ramazanit. Andaj duhet të shfrytëzojmë këtë periudhë për vetëllogari, vetëkritikë dhe përgatitje për muajin e bekuar të Ramazanit.
Në këtë manifestim, hfz. Xhemail Nuhiju dhe hfz. Fatih Derdiyok me Kuran dhe ilahi, të pranishmive iu sollën freski shpirtërore.