Më 12 maj 2023, në xhaminë “Rezistenca” në Haraçinë, Myftiu i Myftinisë së BFI – Shkup dr. Qenan ef. Ismaili së bashku me Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai, bashkëveprimtarët e tij, administrata e Myftinisë, para shumë hoxhallarëve, hafizlerëve, mysafirëve e xhematlinjëve të shumtë promovuan hafizin më të ri Dijar Ridvan Ibraimi.
Të pranishmive në këtë ceremoni, mirëseardhje u dëshiroi hatibi i xhamisë Ali ef. Sadiku.
Në emër të familjes së hafizit, babai i hafizit Ridvan Ibraimi njëherit edhe kryetar i Komunës Haraçinë, me shumë krenari dhe emocion përshëndeti dhe falenderoi të pranishmit për prezencën, vlerësoi lartë angazhimin e të gjithë atyre që ndihmuan dhe përkrahën hafizin në mënyra të ndryshme e në veçanti mundin dhe angazhimin e muhafizit hfz. Abdulkerim Ebibi.
Në fjalën e tij, Myftiu dr. Qenan ef. Ismaili vlerësoi angazhimin dhe sakrificën e muhafizit, të hafizit dhe të familjes së hafizit në këtë rrugëtim të shenjtë dhe theksoi se kjo është krenari e familjes së hafizit, Haraçinës, Myftinisë dhe mbarë umetit.
Në fjalën e tij, muhafizi Abdulkerim ef. Ebibi prezantoi përmbledhje të rrugëtimit të hafizit.
Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai në fjalën e tij vlerësoi lartë figurën e hafizit dhe të muhafizit dhe theksoi se mu ashtu siç kjo xhami mban emrin “Rezistenca” edhe hifzi kërkon përkushtim dhe rezistencë.
Para përmbylljes, hafizi Dijar Ridvan Ibraimi këndoi pjesë nga xhuzi i fundit, ndërsa duanë e rastit e bëri Jusuf ef. Zimeri drejtor i Sektorit fetaro arsimor në BFI.
Në fund hafizit iu nda certifikata e hifzit, një plaketë dhe një laptop, ndërsa muhafizit një mirënjohje.