Në këtë promovim që u organizua me rastin e hyrjes në tre muajt e bekuar morën pjesë mysafirë të shumtë të sferave të ndryshme shoqërore si studiues, hulumtues, punëtorë shkencorë, hoxhallarë, drejtues të institucioneve të ndryshme dhe dashamirë të ITSHKSH-së dhe Myftinisë. Ky manifestim u hap me një ashere të kënduar nga hfz. Xhemail Nuhiju përgjegjës i Institutit të hifzit “Hafiz Ismail Efendiu”.
Dr. Skender Asani drejtor i ITSHKSH-së dhe bashkautor i librit foli mbi vlerën dhe rëndësinë e përmbajtjes dhe dokumenteve që trajton ky libër për monumentet e kulturës osmane-islame në Shkup në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore. Ai poashtu falënderoi Myftininë për bashkëpunimin.
Reisul ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai në fjalën e tij vlerësoi lartë punën e autorëve të kësaj vepre dhe potencoi rënëdësinë që ka për BFI-në dhe besimtarët në përgjithësi.
Myftiu dr. Qenan ef. Ismaili në fjalën e tij foli mbi vlerën e kësaj vepre dhe theksoi se Myftinia e BFI – Shkup tregon kujdes të veçantë ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore, e vetëdijshme se përveç që përmbushin nevojat e besimtarëve ato janë bukuri e rallë e arkitekturës islame. Me këtë rast ai u shprehu mirënjohje autorëve për këtë vepër të rëndësisë së veçantë për besimtarët e Shkupit dhe më gjerë, si botim që hedh dritë mbi trashëgiminë e pasur osmane-islame.
Recenzenti i kësaj vepre prof. dr. Zekirja Ibrahimi foli reth përmbajtjes së kësaj vepre dhe rëndësisë së dokumenteve që trajton ajo. Bashkautorja Nora Maliqi Zylali nëpërmjet videolidhjes u shpreh e lumtur që kanë dhënë diçka për ta kujtuar, afirmuar, mbrojtur por edhe kultivuar trashëgiminë kulturore islame në Shkup. Marrë parasysh nivelin shkencor të këtij punimi, dokumentet historike që paraqiten dhe monumentet e trashëgimisë kulturore në Shkup, Myftinia e përkrahu materialisht daljen në dritë të kësaj vepre.
Në fund pamë edhe ekspozitën e hapur të titulluar “Trashëgimia kulturore islame në Shkup”, ku ishin ekspozuar objekte të ndryshme të kulutërs islame.