Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El- Bekare: 183)
Të nderuar besimtarë,
Paqa, mëshira, shpëtimi dhe bekimi i Allahut të Madhëruar qofshin mbi ju!
Falenderojmë Allahun xh.sh që na e mundësoi që edhe një herë të përjetojmë Muajin e bekuar të Ramazanit, në te cilin më me përkushtim do t’i qasemi ibadetit, duke u kënaqur shpirtërisht me ditët dhe netët e bekuara.
Uniteti, mëshira e përgjithshme, ndihma, solidariteti, sakrifica dhe virtytet e ngjashme vijnë në shprehje gjatë çdo ibadeti e më së shumti në agjërim, ku të gjitha zemrat bëhen nje zemër dhe të gjithë trupat një trup, sepse flijimi bëhet vetëm për ta fituar kënaqësinë e Allahut Fuqiplotë.
Vellezër e motra, vërtet Muaji i Ramazanit është i volitshëm për tu kthyer kah Allahu xh.sh, dhe kah Rruga që ndoqi edukatori ynë, vula e Pejgamberisë, Muhamedi (alejhiselam).
Ne, e dijmë se, Allahu xh.sh nuk ka nevojë për sakrificat tona. Ai, vetëm së për tridhjetë ditë resht na vë para sprovave për ta provuar gatishmërinë tonë, imanin tonë, për realizimin e premtimit që bëhet në emër të Tij.
Tani është koha dhe mundësia që të tregohemi se sa jemi të gatshëm që të flijojmë e sakrifikojmë në emër të Tij.
Prandaj, këtë rast, të mos e lëshojmë nga dora dhe secili prej nesh duhet të fillojë aktin për pendim dhe largim nga veprat e këqija dhe mëkatet duke iu kther; pastërtisë shpirtërore dhe besimit të paluhatshëm, ashtu siç na urdhron Allahu i Madhëruar.
Poashtu, ky muaj i bekuar na rikujton për kujdesin që duhet ta kemi ndaj nevojtarëve, ndaj të dobëtit dhe të paaftit, të varfërit e të vobektit me qëllim që në çdo shtëpi të muslimanit të përjetohet atmosfera e Ramazanit e të mbizotërojë gëzimi e hareja.
Në përfundim të këtij mesazhi, në emrin tim personal dhe ne emër të Myftinisë së Shkupit, kam nderin që t’ua uroj fillimin e muajit të bekuar të Ramazanit, duke ju dëshiruar shëndet , mbarësi e bereqet në familje, dhe agjërim të lehtë e të pranuar tek Allahu i Gjithëmëshirshëm.
Allahu ju bekoftë!
Dr.Qenan ef. Ismaili
Myfti i Shkupit