Sot, më 2 mars 2020 në prani të Reisul-Ulemasë të BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, Myftiut të Shkupit Dr.Qenan ef.Ismaili, dekanit të FSHI-së prof.dr. Shaban Sulejmani , myftilerëve tjerë të BFI-së, hoxhallarë dhe banorëve të kësaj ane u organizua program me rastin e vënies së gurthemelit të xhamisë së re në Studeniçan.
Të pranishmive, me fjalë përshëndetëse iu drejtua Myftiu i Shkupit dr.Qenan ef.Ismaili, i cili përgëzoi banorët për këtë kontribut dhe mes tjerash foli për rëndësinë e ndërtimit të xhamive dhe me këtë po dëshmohet dashuria ndaj shtëpive të All-llahut që kanë besimtarët e kësaj ane ndaj jetësimit të fjalës së vërtetë dhe jetës fetare në përgjithësi.
Me fjalë përshëndetëse të pranishmëve në emër të këshillit inicues iu drejtua z.Alaudin Zeqiri i cili falenderoi kreun e BFI-së Reisul Ulemanë për mbështetjen si dhe Myftiun së bashku me operativën e tij që bënë të pamundurën që kjo dëshirë e banorëve të kësaj ane të bëhet realitet.
Fjalën e rastit, në këtë manifestim mbajti Reisul-Ulema i BFI-së, h. Sulejman ef. Rexhepi, i cili mes tjerash foli mbi shpërblimin që e kanë ata që kontribuojnë në ndërtimin e xhamive, aty ku adhurohet Zoti i Madhërishëm, dhe se padyshim besimtarët e Studeniçanit tradicionalisht, kanë ruajtur dhe kultivuar vlerat tona të larta islame.
Manifestimi përfundoi me leximin e Kuranit nga ana e hfz.Irfan Sulejmani dhe duasë së rastit nga Myftiu i Gostivarit hfz.Shaqir ef.Fetahu
Ndryshe, kjo xhami është xhamia e katërt në fshatin Studeniçan
Zyra për Informim pranë Myftinisë së BFI – Shkup