Në vazhdën e aktiviteteve të Myftinisë së BFI – Shkup në shërbim të jetës fetare doli nga shtypi revista për fëmijë “Hënëza”.

Është kjo revistë që i dedikohet fëmijëve, ardhmërisë sonë dhe përmbushje e një obligimi që kemi ndaj tyre.
Revista është emëruar “HËNËZA” me shpresë se sadopak do të ndriçojë mendjet dhe zemrat e çiltra të fëmijëve dhe një mundësi që përmes temave të përzgjedhura të shfrytëzojnë kohën, të zhvillohen shëndetshëm dhe të argëtohen gjatë rrugëtimit nëpër faqet e saj përplot ilustrime.
Në revistë fëmijët do të gjejnë mësime mbi besimin, etikën, porosi kuranore, rrëfime nga jeta e Muhamedit a.s., tema të sjelljes së mire, aktivitete të nxënësve të mektebeve si dhe shumë mësime tjera me njohuri të përgjithshme dhe këndin e argëtimit.
Në brendi kemi edhe këndin e fëmijëve ku publikojmë poezi, prozë, vizatime, tregime etj.
Kjo revistë doli në dritë si rezultat i përkushtimit të kryeredaktores Semra Kurtish dhe redaksisë në përbërje prof. dr. Ziber Lata, mr. Fati Azizi, Edina Mici Ademi dhe Rijad Kalisi, një staf i mrekullueshëm dhe entuziast të gatshëm që të japin më të mirën për fëmijët.
Të gjithë ata që dëshirojnë të kenë revistën mund ta gjejnë në zyrat e Myftinisë.