Më 15 mars 2023 në xhaminë “Duqanxhik” u promovua hafizja e re Suhejle Abdullai, mbesë e merhum hfz. Jusufit dhe e bija e merhum hfz. prof. Xhemaledin Abdullai.
Në gëzimin e familjes Abdullai me rastin e promovimit të hafizes së re morën pjesë kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai i shoqëruar nga kabineti i tij, myftiu i Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili me kabinetin e tij, myftiu i Manastirit h. Amit ef. Rasimi, përgjegjësi i institutit të hifzit hfz. Xhemail Nuhiju, profesor nga medreseja dhe shumë hoxhallarë e xhematlinj të kësaj ane.
Kjo ceremoni filloi me një ashere që e këndoi hfz. Jasin Abdullai dhe më pas përshëndeti të pranishmit në emër të familjes Abdullai.
Hafizja Suhejle Xhemaledin Abdullai lexoi disa sure nga xhuzi i fundit i Kuranit dhe më pas Fejsall ef. Kadriu bëri duanë e hifzit.
Në fjalën e tij Myftiu dr. Qenan ef. Ismaili vlerësoi lartë kontributin e muhafizit hfz. Abdulkerim ef. Ebibi dhe njëherit uroi familjen që vazhdimisht i ka dhënë hafiza kësaj shoqërie. Hafizes Suhejle Abdullai i uroi shëndet, suksese dhe çdo të mirë në jetë.
Në fjalën e tij Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai theksoi vlerën e memorizimit të Kuranit dhe shprehu mirënjohje për muhafizin, hafizen dhe familjen e saj.
Në fund të kësaj ceremonie hafizes iu nda certifikata e hifzit, plaketë në shenjë mirënjohjeje nga Myftinia e Shkupit dhe një laptop që e dhuron kompania “Eftinija Impeks”.