Me datë, 17 dhjetor 2023, nën organizimin e Myftinisë së Shkupit dhe këshillit iniciues për ndërtimin e xhamisë, u realizua ceremonia zyrtare e hapjes së xhamisë së Re në fshatin Gërçec.
Në këtë solemnitet delegacioni i lartë i BFI- së i udhëhequr nga Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai me bashkëpunëtorët e tij, Myftiu i Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili, Myftiu i Kërçovës, h. Qamil ef. Rushiti, Myftiu i Strugës, h. Adi ef. Murtishi, Myftiu i Ohrit, h. Samet ef. Ajdari, drejtori i Medreses Isa Beu, dr. Islam ef. Islami, sekretari gjeneral i BFI-së, h. Irsal ef. Jakupi, kryetari i komunës së Sarajit, z. Blerim Bexheti, deputet i zonës, z. Abdulla Saliu, hoxhallarë, hafizlerë, veprimtarë, donatorë si dhe shumë mysafirë nga rajoni i Dërvenit dhe më gjërë.
Programi i ceremonisë në këtë xhami e filloi me leximin disa ajeteve nga Kur’ani Famëlartë hfz. Gazmend ef. Tairi, ndërsa moderatori i kësaj ceremonie ishte h. Ali ef. Ziberi.
Të dhënat rreth ecurisë së ndërtimit të xhamisë dhe historikut të fshatit Gërçec i prezantoi imami i këtij fshati hfz. Ramadan ef. Aziri, i cili foli në emër të xhematit dhe këshillit Inciues.
Nikoqiri i kësaj ceremonie, Myftiu i Myftinisë së Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili i përshëndeti të pranishmit dhe në fjalimin e tij vlerësoi lartë punën dhe angazhimin e palodhshëm të këshillit Iniciues për ndërtimin e xhamisë dhe shprehi mirënjohje për donatorët me lutje te Allahu i Madhërishëm që t’i shpërblejë të gjithë ata që kontribuan në forma të ndryshme.
Fjala e rastit në këtë ceremoni i takoi kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai i cili shprehi kënaqësinë e tij dhe emocionet për këtë ndërtim, për këtë xhami kaq të bukur në fshatin Gërçec, ku mes tjerash vlerësoi punën, unitetin dhe aktivitetet e Myftinisë së Shkupit.
Për donatorët që sakrifikuan dhe kotribuan me pasuritë e tyre në ndërtimin e kësaj shtëpie të Zotit, u ndanë mirënjohje ndërsa falenderim dhe lutje te Allahu Fuqiplotë për gjithë ata që ndihmuan në forma të ndryshme që sot u lëshua në shërbim të besimtarëve të fshatit Gërçec.
Duanë e rastit e bëri Myftiu i Kërçovës, h. Qamil ef. Rushiti ndërsa faljes së namazit të ikindisë i priu Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai.