MYFTIU I SHKUPIT DR.QENAN EF. ISMAILI PRITI NË SHKUP KRYETARIN E DIJANETIT TË TURQISË DR. ALI ERBASH

Të mërkurën dhe të enjten më 16-17 qershor 2021, Myftiu i Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili priti Kryetarin e Dijanetit Dr. Ali Erbash pas vizitës që i bëri Rijasetit dhe kryetarit të BFI-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahut, me çrast u vizituan disa xhami e objekte te ndryshme fetaro-kulturore në Shkup.
Në fillim u vizitua Xhamia e Mustafa Pashës, ku pas prezentimit të historikut të kësaj xhamie , Myftiu i Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili i dhuroi librin e tij të sapo botuar “Xhamia, simbol i Shkupit” – vepër në të cilën jepen të dhëna për Shkupin si qytet dhe disa xhami që gjatë periudhave të ndryshme janë ndërtuar dhe i kanë shërbyer banorëve të Shkupit, e që, për arsye të ndryshme, janë rrënuar.
Pas faljës së namazit të Iqindisë u takuan me nëpunësit fetarë të Republikës Turke të cilët janë me detyrë të përkohshme nëpër vende të ndryshme të vendit, kryesisht në Maqedoninë Lindore.
Më pas, Myftiu i Shkupit, dr.Qenan ef. Ismaili bashkë me kryetarin e BFI – së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dhe Kryetarin e Dijanetit Prof. Dr. Ali Erbash, së bashku me delegacionet përkatëse, dolën në Çarshinë e Shkupit, ku vizituan objektet e lashta kulturore Islame që datojnë nga periudha e Perandorisë Osmane: Xhaminë e Mustafa Pashës, Xhaminë Arasta, Kurshumli Ann, Turben e Jigit Pashës, Suli Hanin, Xhaminë e Murat Pashës, Kapan Hanin dhe Urën e Gurit. Më pas, në orët e mbrëmjes, Dr. Ali Erbash, Reisul Ulema H.Shaqir ef. Fetahu , Myftiu i Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, Sekretari Gjeneral H.Irsal ef. Jakupi, dhe z. Nizam Reshit, udhёheqёsi i Sektorit pёr Marrёdhёnie me Republikën e Turqisё , së bashku, morën pjesë në darkën që u shtrua për nder të tyre nga Ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë, ekselenca e tij, Hasan Mehmet Sekizkok, në rezidencën e tij në lagjen Vodno.
Të nesërmen, më saktë 17 qershor, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i shoqëruar nga Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili dhe Kryetari i Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, e pritën kryetarin e Dijanetit të Turqisë Prof. Dr. Ali Erbashin në xhaminë e Tophanes.
Vizitat e fundit në Shkup u realizuan te Medreseja Isa Beu – paralelja e shtrirë për djem në fshatin Kondovë dhe Fakulteti i Shkencave Islame.