Sot, (e xhuma), 12 qershor 2020, në kohën e faljes së namazit të xhumasë, Reisul Ulema H.Hfz. Shaqir ef. Fetahu u mirëprit nga Myftiu i Myftinisë së Shkupit Dr.Qenan ef. Ismaili dhe operativa e Myftinisë, në xhaminë e Mustafa Pashës.
Reisi ishte i shoqëruar nga kabineti i tij, Myftiu i Tetovës Dr.Qani ef.Nesimi, Myftiu i Kumanovës h.Abedin ef. Imeri dhe bashkëpunëtorët tjerë të BFI -së.
Në fillim, hatibi i xhamisë Abdusamed ef. Zeqiri në rolin e nikoqirit para besimtarëve falenderoi Reisin për nderin e tij, si dhe Myftiun që përzgjodhi xhematin e xhamisë së Mustafa Pashës për ta vizituar.
Më pas, me fjalë përshëndetëse Myftiu Dr. Qenan ef.Ismaili falenderoi hatibin, këshillin e xhamisë për pritjen vëllazërore, për rendin në xhami, kujdesin e tyre në respektimin e të gjitha rekomandimeve qeveritare dhe protokolit të BFI-së, me ndërmarrjen e gjitha masave preventive për mbrojtje ndaj pandemisë.
Në fund, fjala kryesore i takoi Reisul Ulemasë H.Hfz. Shaqir ef. Fetahut i cili çmoi lartë mirëpritjen nga ana e këshillit të xhamisë dhe besimtarëve të Shkupit.
Ndjej kënaqësinë e veçantë që ndodhem sot para jush, këtu në Shkupin e madh me traditë të lashtë fetare, ktu ku kultivohen vlerat e islamit të mirëfilltë, qyteti ku kalova një pjesë të jetës sime në edukimin e gjeneratave shembullore.
Shpreh mirënjohjet e mia për organizimin e sotëm dhe mikpritjen nga ana e Myftinisë së Shkupit nën udhëheqjen e Myftiut Dr.Qenan ef. Ismaili, i cili po bën një punë të jashtëzakonshme, duke sjellur një frymë të re që nga fillimet e para të udhëheqjes si i pari i Shkupit, në jetësimin e objektivave tona si institucion kryesor, përgjegjës për jetën fetare në vendin tonë.
Mesazhin e xhumasë e përcolli atasheu për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë z. Murat Alkan.
Në namazin e xhumasë besimtarëve iu priu Reisul Ulema H.Hfz. Shaqir ef. Fetahu.
Pas faljes së namazit, Reisi pati dhe një prononcim para mediave.
Zyra për Informim pranë Myftinisë së BFI – Shkup