Myftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili qëndroi në fshatin Lubin të Sarajit, për të parë nga afër punimet që po zhvillohen në xhaminë e re.
Me shumë dashamirësi e respekt të veçantë u mirëprit nga z.Nehat Bekiri, kryetar i këshillit inicues, bashkë me anëtarët e tjerë.
Në këtë vizitë, myftiu u shoqërua nga sekretari i Myftinisë, Mr. Nexhmi Ferati, nga referenti i Vakëfit pranë Myftinisë, h.Fejsall ef. Kadriu dhe nga kryetari i O.H “Hilal” pranë BFI – së, h. Fadil ef. Ramadanin. U informuan direkt nga z. Bekiri për punimet e realizuara dhe planet e tyre deri në fazën përfundimtare të ndërtimeve.
Në fund myftiu uroi që punimet të ecin mbarë e sipas planit dhe me lejen e Allahut të Madhëruar kjo xhami të hapet sa më shpejt! Kjo punë e hajrit, kjo sakrificë, ky mund e përkushtim, është argumenti më i mirë për gjithë ne, se xhamitë i ndërtojnë, i mirëmbajnë e për ta kujdesen ata besmitarë që zemrat e tyre i kanë të lidhura me Allahun dhe që janë në shërbim të islamit. Le të shërbejë fjala e Allahut fuqiplotë, që në Kur’anin famëlartë thotë:
“E drejtë e përkujdesjes së xhamive të All-llahut është vetëm e atij që i ka besuar All-llahut dhe ditës së mbramë e që e falë namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos All-llahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë).” (Teube 18)