MBLEDHJA E RREGULLT ME ANËTARËT E MYFTINISË SË SHKUPIT

Sot, 17 qershor 2020, (e mërkurë),nën udhëheqjen e Myftiut Dr.Qenan ef. Imsaili u realizua mbledhja e rregullt me anetarët e Myftinisë së Shkupit kushtuar aktiviteteve të realizuara brenda muajit të Bekuar të Ramazanit.

Myftiu Dr.Qenan ef. Ismaili në fillim të mbledhjes, paraqiti vendimet e marrura, bazuar në procesverbalin e mbledhjes së fundit dhe njëkohësisht nga të pranishmit u miratuan unanimisht vendimet e mbledhjes së kaluar.
Në pikën e radhës të rendit të ditës u diskutuan zhvillimet e fundit në BFI.

Si pikë tjetër e rendit të ditës, ku më së tepërmi u koncentrua Myftiu ishte projekti i Ramazanit 2020 me aktivitetet e bujshme që u realizuan për besimtarët por me një formë tjetër, formatin online.

Myftiu para anëtarëve paraqiti programin ditor të realizuar përgjatë 30 ditëve të Ramazanit dhe gjitha programet që u lansuan në faqen zyrtare në facebook, prononcimet para mediave, aktivitetet humanitare; ku përmendi shpërndarjen e 200 pakove ushqimore, pa përmendur të dhëna se ku janë destinuar për shkak të ruajtjes së privatësisë dhe dinjitetit të besimtarëve që i kanë pranuar.

Më pas, Myftiu dha hapsirë për të pranishmit që t’i shprehin mendimet e tyre, përshtypjet dhe qëndrimet e tyre sa i përket projektit të Ramazanit dhe gjitha aktivitetet tjera.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, Myftiu paraqiti gjendjen e tubimit të Sadekatul fitrit dhe Zekatit brenda Ramazanit të sivjetshëm duke shtuar se krahas gjendjes së rënduar nga përhapja e pandemisë, besimtarët tanë treguan një besim të lartë ndaj Myftinisë së Shkupit bazuar në rritjen e vlerës së tubuar.

Pas gjitha çështjeve të diskutuara, Myftiu falenderoi të gjithë të pranishmit për kontributin e tyre, duke shprehur mirënjohjet e tij, për punën e palodhshme të referentëve të Myftinisë në organizimin e aktiviteteve kushtuar Ramazanit 2020, dhe përkushtimin e hoxhallarëve të Shkupit, ku mes tjerash tha: Lusim All-llahun që angazhimin dhe gjithë përpjekjen tonë gjatë kësaj periudhe ta ketë pranuar!

Zyra për Informim pranë Myftinisë së BFI – Shkup