Më 30 Nëntor – 1 Dhjetor, në hotelin Radika – Mavrovë, Myftinia e Shkupit me sukses realizoi seminarin dyditor me temë “Ligjërimi në xhami kundrejt realitetit bashkëkohor”, seminar ky i cili filloi përgatitjet një muaj më herët në bazë të planit të Myftinisë së Shkupit, ku morrën pjesë mbi 100 hatibë që shërbejnë nëpër xhamitë e qytetit dhe fshatrave përreth.
Hapjen e këtij seminari e bëri Myftiu Dr.Qenan ef.Ismaili i cili mes tjerash tha: “ është nevojë e kohës që ne të realizojmë seminare të këtij karakteri nëpërmjet së cilave do të kontribojmë në ngritjen e nivelit të ligjerimit nëpër xhami duke përvetësuar metodat dhe mënyrat e komunikimit, që hutbeja më pas të ketë efekt më pozitiv te xhemati, e nga ana tjetër hatibët janë më meritorët të jenë pjesmarrës në organizime të këtilla sepse ata gjatë tërë vitit janë në shërbim të xhematit të tyre.”
Ai mes tjerash falenderoi të gjithë hatibët e Shkupit që ju pergjigjen pozitivisht ftesës për të qenë pjesmarrës në këtë seminar.
Më pas fjalë përshëndetëse në këtë seminar pati kryetari i Kuvendit të BFI-së, Fadil ef.Ramadani, i cili përgëzoi Myftininë për realizimin e këtij seminari të këtij niveli të lartë me një numër të madh të pjesmarrësve, ku dëshmohet puna, angazhimi dhe kontributi i Myftinisë për të qenë në shërbim të jetës fetare në Shkup.
Në seancën e parë u zhvillua tema: “Hutbeja – komunikim parësor i përçimit të mesazheve” të cilën e trajtoi Prof.Dr.Shaban Sulejmani, dekan i FSHI-së.
Në seancën e dytë Prof.Dr.Agron Kurtishi trajtoi temën: “Teknikat e të folurit (komunikimit) në publik”, i cili është ligjerues në Fakultetin e Komunikimit, pranë Universitetit Nënë Tereza – Shkup
Në seancën e tretë u zhvillua trajnimi: “Rëndësia e komunikimit joverbal gjatë ligjërimit” të cilën e zhvilloi në formatin e punëtorisë trajnuesi profesional Leonard Kaja.
Në ditën e dytë, fjala e rastit i takoi Reisul Ulema h.Sulejman ef.Rexhepi i cili mes tjerash foli mbi rëndësinë e unifikimit të qëndrimeve të të gjithë hatibëve sepse duke qenë të bashkuar arrijmë sukseseve të përbashkëta.
Vecmas kesaj, një hatib i ngritur profesionalisht dhe i dëshmuar si personalitet paraqet është pasqyra e besimtarëve dhe ka ndikimin e vet në ngritjen intelektuale të popullit dhe këtu qëndron shpjegimi se përse duhet ti kushtohet rendësi.
Në fund të fjalimit të tij, përgëzoi Myftiun dhe bashkëputorët e tij për realizimin e këtij seminari mjaft të rëndesishëm dhe te nëvojshëm për hatibet e Shkupit, dhe shprehi gatishmerinë e tij për përkrahje dhe mbështetje të vazhdueshme nga ana e tij.
Para të pranishmëve në fund Myftiu Dr.Qenan ef.Ismaili paraqiti dhe konkluzionet e seminarit;
1. Temat e ligjëratave të mbajtura nëpër xhami duhet të përzgjidhen me shumë kujdes dhe të njëjtat të korrespondojnë me realitetin bashkëkohorë.
2. Ligjëruesit gjatë ligjerimit ne xhami duhet të kenë kujdes në përzgjedhjen e fjalëve, të përdorin fjalorin këshillues ,tërheqës dhe jo qortues.
3. Ligjërata për t’i përmbushur kriteret duhet të ketë koncept, të përmbajë hyrjen, elaborimin e temës dhe përcjelljen e mesazhit – përfundimin.
4. Ligjërata në xhami duhet të plotësojë edhe standardet fetare, që nënkupton; të argumentohet ligjërata me ajet, hadith dhe ngjarje të vërtetë nga historia islame.
5. Ligjërata në xhami duhet të ngërthejë standardet shkencore, të jetë e shkurtër, koncize dhe me fjalor të përshtashëm për xhematin.
6. Ligjëruesi pergjatë ligjërimit duhet të jetë i vëmendshem përshkak të mundësisë së prezentimit në xhami edhe të gjinisë femërore, inçizimeve të mundshme me telefon apo transmetimit të drejtpërdejtë të ligjëratës në rrjetet sociale.
7. Ligjëruesi në xhami duhet me shumë kujdes të menaxhojë gjendjen emocionale të xhematit të cilit i drejtohet.
8. Ligjëruesi gjatë ligjërimit krahas përmbjatjes së temës duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë lëvizjeve të gjymtyrëve dhe intonacionit të zërit.
9. Ligjëruesi, krahas mbajtjes së hytbes në gjuhën arabe duhet që ta përcjellë mesazhin qoftë edhe në disa pika të shkurtëra në gjuhën që e kupton xhemati (shqip, turqisht, boshnjakisht, maqedonisht etj).
10. Energjine pozitive që mund ta përcjellë hytbeja e xhuamsë, nuk mund ta përcjellë asnjë ligjërimi llojit vet (internet, youtube, facebook etj)
Në përmbyllje të seminarit, të gjithë pjemarrësve ju ndanë certifikata, kurse në shenjë respekti Myftinia ndau nga një çallmë për të gjithë pjesëmarrësit.
Myftinia e Shkupit falenderon të gjithë donatorët që kanë përkrahur materialisht këtë seminar duke lutur Allahun e Madhërishëm që ti shpërblen me të mirat e Tij, në këtë botë dhe Botën Tjetër.