Myftiu dr.Qenan ef. Ismaili, sot, më 28 tetor 2021, priti në Shkup z. Burhan Ersoj, Drejtor Gjeneral i Vakëfeve të Republikës së Turqisë, i shoqëruar nga nga znj. Shengjyl Konxhagjyl zëvendës Drejtore e sektorit për vepra dhe ndërtime artistike, z. Akif Solmaz – inxhinier i ndërtimtarisë dhe z. Abdullah Bekirli, zëvendës Shef i Kabinetit.
Në fillim të takimit, Myftiu u dëshiroi mirëseardhje musafirëve të nderuar, dhe i njoftoi mbi veprimtarinë e gjërë të Myftinisë, e në veçanti për mbarështimin e vakëfit të Shkupit dhe planet për të ardhmen; duke i informuar nga dora e parë mbi gjendjen e xhamive, objekteve dhe monumenteve historike që disponon Myftinia e Shkupit.
Të dyja palët, u dakorduan për bashkëpunim më të thellë në projekte konkrete në të ardhmen.
Në fund të takimit, në shenjë respekti dhe vlerësimi këmbyen dhurata, me ç’rast Myftiu i dhuroi veprën e tij, librin e botuar, “Xhamia, simbol i Shkupit”.
Pastaj, Myftiu udhëhoqi delegacionin në Çarshinë e Vjetër, ku u vizituan; xhamia “Isa Beu”; xhamia “Sulltan Murat”,; xhamia e “Jahja Pashës”; xhamia “Ballaban” ; xhamia Murat Pasha; “Bezisteni i Çarshisë; dhe Kapan An-i si dhe shumë monumente tjera me peshë historike në Çarshi të Vjetër.
Gjatë vizitave të realizuara, z. Ersoj u njoftua nga afër mbi historiatin e xhamive e të monumenteve dhe mbi gjendjen faktike të tyre, ku pas vlerësimeve, u bisedua edhe për projekte konkrete në shërbim të besimtarëve.
Në viziten e realizuar në Kapan-An, u mirëpritëm nga stafi dhe nxënëset e Medresesë “Isa Beu”- paralelja e shtrirë e vajzave, me ç’rast u informuan musafirët mbi programin, paralelet , për kushtet dhe hapësirat ku zhvillohet procesi arsimor.
Vlen të përmendet se, në pjesën e fundit të agjendës se sotme, Myftiu së bashku me Reisul Ulemanë H.Hfz. Shaqir ef. Fetai udhëhoqën delegacionin në vizitën e realizuar në xhaminë e Mustafa Pashës dhe pas faljes së namazit në shenjë nderi, u shtrua edhe një drekë e përbashkët.